Irani bllokon Ngushticën e Hormuzit – Shtëpia e Bardhë shpërthen: “E papranueshme!”

Tensionet mes Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Iranit janë rikthyer fuqishëm vetëm pak orë pas hyrjes në fuqi të armëpushimit dyjavor, pasi Teherani ka vendosur të mbyllë një nga arteriet më të rëndësishme të tregtisë globale të energjisë – Ngushticën e Hormuzit.

Vendimi i Iranit ka shkaktuar reagim të menjëhershëm nga Uashingtoni. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, e cilësoi këtë veprim “plotësisht të papranueshëm”, duke kërkuar rihapjen e menjëhershme dhe të pakushtëzuar të kalimit detar. Sipas saj, presidenti Donald Trump e ka të qartë prioritetin: garantimin e lëvizjes së lirë dhe të sigurt të anijeve cisternë pa asnjë pengesë apo tarifë.

Ngushtica e Hormuzit, një pikë kyçe për furnizimin global me naftë dhe gaz, ishte në qendër të marrëveshjes së armëpushimit, ku Irani ishte zotuar të lejonte rifillimin e transportit detar. Por raportimet nga mediat shtetërore iraniane tregojnë se kjo marrëveshje është vënë në pikëpyetje që në ditët e para të saj.

Vendimi i Teheranit vjen si reagim ndaj sulmeve të vazhdueshme të Izrael në Liban, një konflikt që duket se po ndikon drejtpërdrejt në balancën e brishtë të armëpushimit SHBA–Iran. Ndërsa Uashingtoni dhe Tel Avivi këmbëngulin se Libani nuk është pjesë e marrëveshjes, Irani dhe ndërmjetësi Pakistan pretendojnë të kundërtën.

Në një deklaratë të fortë, një nga komandantët e Gardës Revolucionare iraniane paralajmëroi se çdo “agresion ndaj Libanit” do të konsiderohet si agresion ndaj Iranit, duke lënë të kuptohet se një përshkallëzim i ri ushtarak është i mundshëm.

Zhvillimet e fundit hedhin hije të forta mbi qëndrueshmërinë e armëpushimit dhe rrisin frikën për një krizë më të thellë në rajon, me pasoja potenciale për tregjet globale dhe sigurinë ndërkombëtare.