Policia e Lezhë ka zbardhur detaje të reja nga atentati i ndodhur në fshatin Balldren, ku mbeti i vrarë një çift. Drejtori i Policisë Vendore, Arben Nasufi, bëri të ditur se janë identifikuar tre autorët e dyshuar, të moshave nga 22 deri në 36 vjeç, të gjithë banues në zonë.
Sipas hetimeve, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për motive hakmarrjeje, e lidhur me një vrasje të vitit 2016, ku viktimë ka qenë një familjar i autorëve.
Nga dinamika e sulmit rezulton se një automjet tip “Audi A4” ka ndjekur lëvizjet e viktimave, ndërsa më pas një mjet tjetër “Volkswagen”, pa targa, u ka prerë rrugën dhe autorët kanë hapur zjarr me breshëri armësh.
Pavarësisht kontrolleve të shumta, autorët nuk janë kapur ende dhe janë shpallur në kërkim. Operacioni për arrestimin e tyre vijon me përfshirjen e forcave speciale RENEA, Forcave Kombëtare të Sigurisë dhe strukturave të policisë vendore.
Ndërkohë, hetimet po vazhdojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes, si dhe për gjetjen e automjeteve dhe armëve të përdorura në atentat.









