Goditet opozita në Turqi – Arrestohet një tjetër kundërshtar i Erdoganit në Ankara

Tensionet politike në Turqi po thellohen, ndërsa një tjetër figurë e opozitës është vënë në pranga në Ankara.

Bëhet fjalë për Umit Erkol, përfaqësues i partisë kryesore opozitare, i cili është arrestuar në kuadër të një hetimi për korrupsion që lidhet me një kontratë të dyshimtë mes bashkisë së Izmirit dhe një kompanie ndërtimi.

Sipas prokurorisë në Izmir, ndaj tij rëndojnë akuza për përvetësim fondesh, mashtrim të rëndë dhe falsifikim dokumentesh zyrtare.

Arrestimi është kritikuar ashpër nga kryebashkiaku i Ankarasë, Mansur Yavas, i cili e cilësoi vendimin si të pajustifikuar dhe me prapavijë politike, duke theksuar se Erkol nuk përbënte rrezik arratisjeje apo manipulimi të provave.

Ky zhvillim vjen në një klimë të tensionuar politike, pas arrestimit të mëhershëm të kryebashkiakut të Stamboll, Ekrem Imamoglu, një nga rivalët kryesorë të presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Arrestimet e fundit të disa figurave të opozitës kanë ngritur shqetësime për presion politik dhe gjendjen e demokracisë në vend, ndërsa skena politike turke duket se po hyn në një fazë gjithnjë e më të nxehtë përpara sfidave të ardhshme elektorale.