Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të shtunë një takim me fermerë në Lushnjë, ku u shfaq në krah të Belinda Balluku, në një moment të ndjeshëm politik.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë nuk i kurseu kritikat ndaj opozitës, duke përdorur tone të forta dhe ironi për atë që e cilësoi si “pazar thashethemesh dhe llogjesh” në Tiranë.
“Thelbi është të bashkëpunojmë me ata që e shohin bujqësinë si mundësi reale për të ndërtuar jetën e tyre dhe jo me ata që e shohin nga ‘tenxheret’ mediatike”, u shpreh Rama, duke theksuar se fokusi nuk duhet të jetë më thjesht te financimi, por te mënyrat për të gjeneruar të ardhura dhe zhvillim të qëndrueshëm.
Ai theksoi se bashkimi i fermerëve sjell më shumë përfitime ekonomike, duke përmendur se “30% më shumë fitohet duke u bashkuar”, ndërsa shtoi se vendi nuk ka më kohë për të humbur mes debateve dhe paragjykimeve.
Në vijim, Rama ashpërsoi gjuhën ndaj kundërshtarëve politikë, duke i cilësuar sulmet si pjesë e një “lufte tribale” dhe duke folur për një “lukuni” që, sipas tij, deformon deklaratat për përfitime politike.
Takimi në Lushnjë vjen në një kohë debatesh të forta politike, ndërsa çështjet e bujqësisë dhe mbështetjes për fermerët mbeten në qendër të diskutimit publik.









