“E papranueshme” – Tedi Blushi për gazetarët: Mungesa e ambasadave në gjyqin e Metës ngre pikëpyetje për transparencën

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar pas mungesës së përfaqësuesve të huaj në seancën gjyqësore ndaj Ilir Meta, pavarësisht thirrjeve të këtij të fundit për praninë e ambasadave.

I pyetur nga gazetari Armand Bajrami, Blushi shmangu komentet direkte mbi qëndrimin e ndërkombëtarëve, por e cilësoi situatën si “të papranueshme” dhe “irrituese”, duke theksuar se një proces i tillë nuk duhet të zhvillohet i izoluar.

Sipas tij, mungesa e vëzhguesve ndërkombëtarë ngre pikëpyetje mbi transparencën e procesit, ndërsa shtoi se qëllimi është që të mos dalin në dritë arsyet reale të arrestimit të Metës, të cilin e cilësoi si “gjeopolitik”.

Blushi theksoi se Partia e Lirisë do të vijojë t’i ftojë të gjithë aktorët ndërkombëtarë të ndjekin nga afër procesin, duke insistuar në nevojën për më shumë transparencë dhe standarde në sistemin e drejtësisë.