Diplomaci në prapaskenë – Emisari i Vladimir Putin takohet me ekipin e Donald Trump për paqen në Ukrainë

Përfaqësuesi special i Rusisë, Kirill Dmitriev, ndodhet në Shtetet e Bashkuara, ku po zhvillon takime me anëtarë të administratës së Donald Trump.

Sipas raportimeve ndërkombëtare, në fokus të bisedimeve është një marrëveshje e mundshme paqeje për luftën në Ukrainë, si dhe mundësitë për bashkëpunim ekonomik mes dy vendeve. Takimet zhvillohen në një moment delikat për marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Moskës.

Vizita e Dmitriev vjen pak ditë përpara një vendimi të rëndësishëm nga SHBA lidhur me zgjatjen e një përjashtimi të përkohshëm nga sanksionet ndaj naftës ruse, i cili pritet të skadojë më 11 prill. Kjo çështje është pjesë e diskutimeve mes palëve.

Më herët, Shtetet e Bashkuara kishin dhënë një leje 30-ditore për blerjen e naftës dhe produkteve të saj, pavarësisht sanksioneve ndaj Rusi. Ky vendim u justifikua me nevojën për të stabilizuar tregjet globale të energjisë në një periudhë tensionesh të larta ndërkombëtare.

Bisedimet aktuale shihen si një sinjal i mundshëm për hapje diplomatike, megjithatë mbetet e paqartë nëse palët do të arrijnë një marrëveshje konkrete për përfundimin e konfliktit në Ukrainë.