“Çështjet e statutit mund të zgjidhen edhe ligjërisht” – Salianji paralajmëron Berishën: Nuk dua ta çoj PD dyerve të gjykatës…

Ervin Salianji ka deklaruar se qëndrimi i Sali Berisha për të mos u tërhequr nga drejtimi i partisë nuk i shërben opozitës, por vetëm kryeministrit Edi Rama.

Në një intervistë televizive, Salianji u shpreh se nga pikëpamja statutore, Berisha nuk mund të konsiderohet më kryetar i partisë pas procesit të brendshëm zgjedhor që pritet të përmbyllet në fund të majit.

Ai theksoi gjithashtu se, sipas rregullave të brendshme të partisë, të njohura edhe si “neni Basha”, një drejtues që humb zgjedhjet nuk ka të drejtë rikandidimi, duke nënvizuar nevojën për ndryshim lidershipi në opozitë.

Salianji shtoi se çështjet e statutit mund të zgjidhen edhe përmes rrugës ligjore, por sipas tij, nuk duhet që konflikti të përfundojë në gjykatë, pasi kjo do të dobësonte opozitën dhe do t’i jepte avantazh qeverisë.

Ai apeloi për një zgjidhje të brendshme politike të krizës në parti, pa e çuar debatin në institucione gjyqësore.

Ervin Salianji: “Unë kam në plan të bëj politikë, siç e thashë nga Kukësi, qëndrimi i Berishës për të mos u larguar i shërben atij për të patur një jetë më të mirë në këtë etapë të jetës, por nuk i shërben opozitës, ndryshimit, por vetëm Ramës. Berisha tha që Basha ka përgjegjësi se nuk mbron votën, se që vidheshin zgjedhjet ishim të gjithë të një mendimi.

Por mua s’mi vjedh zgjedhjet Edi Rama dhe për shkak se nuk mi vjedh, vendos një nen i quajtur “Basha”, ku u përcaktua që të hiqeshin elementët se është farsë apo jo, nëse partia humb zgjedhjet, kryetari lë mandatin dhe nuk ka të drejtë rikandidimi. Nga pikëpamja legale statutore, Berisha nuk është kryetar nga momenti i daljes së rezultatit që mund të jetë fundi i majit,  praktikisht nuk ka proces për zgjedhjet në parti.

Unë po i besoj procesit politik, që duhet ndryshim në PD, duke i dhënë rrugë nëpërmjet këtij procesi. Por nga pikëpamja ligjore, një padi e thjeshtë në gjykatën e Tiranës e fut PD në një ngërc tjetër,  por unë s’dua ti jap një avantazh tjetër Ramës duke e lënë PD dyerve të gjykatës, por që zgjidhet nga pikëpamja ligjore kjo, dihet. tha Salianji.