Allegri i vendosur – Ardon Jashari nuk lëviz nga Milani; “Lojtar kyç për të ardhmen!”

Trajneri i Milan, Massimiliano Allegri, ka shuar zërat e merkatos duke përjashtuar një transferim të mundshëm të mesfushorit shqiptar Ardon Jashari te rivalët e Juventus.

Në prag të supersfidës mes Milanit dhe Juventusit në “San Siro”, për javën e 34-t të Serie A, mediat italiane kishin raportuar për interesimin e “Bianconerëve” ndaj Jasharit. Por Allegri ishte i prerë në konferencë për shtyp.

Ai theksoi se klubi ka bërë një investim të rëndësishëm te lojtari dhe pavarësisht vështirësive që ka hasur këtë sezon, përfshirë një dëmtim dhe minutat e kufizuara, potenciali i tij mbetet i padiskutueshëm.

“Është një lojtar me cilësi të mëdha dhe do të jetë i rëndësishëm për të ardhmen e Milanit,” u shpreh Allegri, duke nënvizuar besimin e klubit te talenti shqiptar.

Trajneri shtoi se zhvillimi i lojtarëve të rinj kërkon kohë dhe përmendi edhe raste të tjera në skuadër që janë rritur gradualisht, duke theksuar strategjinë e Milanit për të kombinuar përvojën me talentin e ri.

Ndërkohë, përballja direkte mes Milanit dhe Juventusit pritet të jetë vendimtare për renditjen, me vetëm tre pikë diferencë mes dy skuadrave në tabelë.