Një operacion i befasishëm është zhvilluar në Burgun e Shkodrës, ku autoritetet kanë ndërmarrë kontrolle të imtësishme për të goditur çdo formë paligjshmërie brenda institucionit penitenciar.
Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, gjatë aksionit janë kontrolluar gjithsej 38 dhoma, si dhe ambientet e përbashkëta të të dënuarve.
Gjatë verifikimeve, në një prej dhomave është gjetur një cigare e dëmtuar, e dyshuar si lëndë narkotike (hashash), e hedhur në lavaman. Në lidhje me këtë rast, dy të dënuar janë veçuar dhe janë nisur procedurat përkatëse hetimore.
Kontrollet kanë zbuluar gjithashtu edhe sende të tjera të ndaluara, ndërsa dy televizorë janë nxjerrë për rikontroll si objekte të tepërta.
Operacioni është kryer në zbatim të urdhrit të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Adriatik Kupi, dhe nën drejtimin e Drejtorit të Policisë së Burgjeve, Paulin Rajta, me pjesëmarrjen e forcave operacionale dhe speciale.
Autoritetet kanë bërë të qartë se kontrollet e befasishme do të vijojnë në të gjitha institucionet e vuajtjes së dënimit, me qëllim rritjen e sigurisë dhe parandalimin e aktiviteteve të paligjshme brenda burgjeve.









