Abbas Araghchi mbërrin në Islamabad – Priten bisedime të reja SHBA–Iran

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka mbërritur në Islamabad në një vizitë që mund të hapë rrugën për rifillimin e negociatave mes Teheranit dhe Uashingtonit.

Zyrtarët pakistanezë bëjnë me dije se Araghchi është pritur nga homologu i tij Ishaq Dar dhe nga shefi i ushtrisë Asim Munir. Gjatë qëndrimit, ai pritet të zhvillojë takime me drejtuesit më të lartë të vendit për të diskutuar zhvillimet e fundit në rajon dhe përpjekjet për stabilitet.

Vizita vjen në kuadër të rolit ndërmjetësues të Pakistanit, i cili po përpiqet të lehtësojë dialogun mes Iranit dhe SHBA-së, pas dështimit të përpjekjeve të fundit për negociata direkte.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar se i dërguari amerikan Steve Witkoff dhe këshilltari Jared Kushner do të udhëtojnë drejt Pakistanit për të zhvilluar takime me përfaqësues iranianë, me ndërmjetësimin e autoriteteve pakistaneze.

Këto zhvillime vijnë pas një raundi të parë bisedimesh të mbajtura në prill dhe përpjekjeve për të konsoliduar një armëpushim të përkohshëm, ndërsa tensionet në rajon mbeten të larta që nga shpërthimi i konfliktit në fund të shkurtit.