Legjenda e futbollit turk, Hakan Sukur, i njohur për arritjen historike të Turqisë në vendin e tretë në Botërorin e vitit 2002, ka folur me entuziazëm për Kosovën dhe potencialin e saj sportiv.
Sukur, i cili ka prejardhje nga Kosova – babai i tij ka lindur në Prishtinë – tha në një podcast se suksesi i Kosovës nuk duhet nënvlerësuar. “Kosova është atdheu i babait tim. Një vend që vjen nga ish-Jugosllavia, një tokë ku ka shumë talente,” u shpreh ai.
Legjenda turke theksoi gjithashtu se për Turqinë, përballjet me Kosovën në “play-off” nuk do të jenë të lehta. “Turqia do të ketë punë mjaft të vështirë, sepse ndeshjet si kjo nuk janë kualifikuese të Botërorit; vendosen nga kushte dhe rrethana të tjera,” shtoi Sukur.
Për Hakan Sukur, kjo përballje ka një rëndësi personale, duke lidhur rrënjët e tij familjare me historinë sportive të Kosovës dhe sfidat që sjellin ndeshjet vendimtare.









