Fitorja bindëse 6-1 e FC Bayern Munich ndaj Atalanta BC solli entuziazëm për bavarezët, por edhe disa shqetësime për shkak të dëmtimeve të disa lojtarëve të rëndësishëm.
Pas ndeshjes, tre futbollistë dolën me probleme fizike. Jamal Musiala pësoi një goditje në kavilje, ndërsa Alphonso Davies u dëmtua në kofshën e djathtë. Situata më shqetësuese ishte ajo e portierit Jonas Urbig, i cili pësoi një traumë cerebrale gjatë takimit.
Në prag të sfidës me Bayer Leverkusen, trajneri i bavarezëve Vincent Kompany dha përditësime për gjendjen e lojtarëve në konferencën për shtyp.
“Musiala pritet të rikthehet në stërvitje në fillim të javës së ardhshme. Ndërsa për Davies situata është më e komplikuar dhe mendoj se do të qëndrojë jashtë për disa javë,” deklaroi Kompany.
Trajneri shtoi se pauza e ardhshme për ndeshjet e kombëtareve mund të ndihmojë skuadrën të rikuperojë lojtarët e dëmtuar dhe të kthehet me grup të plotë për fazën vendimtare të sezonit.
Ndërkohë, me portierët Manuel Neuer dhe Urbig jashtë aktivizimit për shkak dëmtimi, në përballjen ndaj Leverkusen pritet të aktivizohet portieri i tretë i ekipit, Sven Ulreich.









