Pas pezullimit në muajin janar, Shtetet e Bashkuara kanë finalizuar rregullat e reja për Programin e Vizave të Emigrantëve të Diversitetit, i njohur si Lotaria Amerikane, duke vendosur masa më të forta për verifikimin e identitetit dhe parandalimin e mashtrimeve.
Rregullorja e re, e publikuar nga Departamenti i Shtetit i SHBA në Regjistrin Federal, do të hyjë në fuqi më 10 prill 2026 dhe sjell ndryshime të rëndësishme në procesin e aplikimit.
Sipas rregullave të reja, çdo aplikant duhet të paraqesë të dhëna të detajuara nga pasaporta, duke përfshirë numrin, autoritetin lëshues dhe datën e skadimit, si dhe të ngarkojë një kopje të skanuar të faqes biografike dhe të nënshkrimit. Mosplotësimi i këtyre kërkesave mund të çojë në skualifikim automatik.
Një tjetër risi është vendosja e një tarife simbolike prej 1 dollar për çdo aplikim, pa përjashtime, me synimin për të reduktuar aplikimet e rreme dhe të shumëfishta. Përjashtime të kufizuara do të lejohen vetëm për persona pa shtetësi ose ata që nuk mund të pajisen me pasaportë për arsye zyrtare.
Autoritetet amerikane theksojnë se ndryshimet synojnë të rrisin transparencën dhe sigurinë e procesit, duke kufizuar ndërhyrjet nga palë të treta dhe abuzimet me aplikimet.
Po ashtu, janë bërë edhe përditësime teknike në formularë, duke zëvendësuar termin “gjini” me “seks” dhe “moshën” me “datën e lindjes”, për të përmirësuar saktësinë e të dhënave.
Këto rregulla do të zbatohen duke nisur nga Lotaria DV-2027, duke e bërë pasaportën një element kyç në procesin e aplikimit.
Informacioni i kërkuar përfshin:
Numri i pasaportës
Vendi ose autoriteti që ka lëshuar pasaportën
Data e skadimit të pasaportës
Një kopje e skanuar e faqes biografike dhe të nënshkrimit të pasaportës









