Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas vendimit të Kuvendit për të refuzuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku, duke përshëndetur gjithashtu deklaratat e ambasadave të Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë.
Në një komunikim të gjatë, Rama theksoi se shumica qeverisëse ka busullën e palëvizshme drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe zhvillimin e Shqipërisë 2030, ndërsa nënvizoi se:
- Reforma në drejtësi nuk kthehet mbrapa, pavarësia e gjyqësorit mbetet e paprekur dhe mbështetja për SPAK është e palëkundur.
- Lufta kundër korrupsionit vazhdon më këmbëngulëse se kurrë, sipas pasqyrës së përditësuar të Komisionit Europian.
- Belinda Balluku nuk akuzohet për korrupsion, dhe hetimi i çështjes do të vazhdojë i patrazuar nga faktorë të jashtëm.
- Veprimet e shumicës sot janë në përputhje me standardet demokratike europiane, ku procesi i hetimeve nuk është “karta bianka” për prokurorinë, por një proces serioz, kushtetues dhe ligjor.
Rama theksoi gjithashtu se parlamenti tregoi se dinjiteti i deputetëve nuk mund të bëhet objekt eksperimentesh socio-politike, dhe shtoi:
“Ecim përpara, Shqipëria nuk ka plan B.”
Reagimi vjen në një moment të tensionuar politik, pas vendimeve të Kuvendit dhe debatit për rolin e SPAK dhe imunitetin e deputetëve, duke rikonfirmuar angazhimin e qeverisë për integrimin europian dhe luftën kundër korrupsionit.
Reagimi i Kryeministrit Edi Rama:
Përshëndes deklaratat e ambasadave të Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë, me parimet e shprehura në të cilat jemi të gjithë shumë dakord, 100%. Por duke qenë se që të dyja dolën sot, kur Kuvendi me plot të drejtë refuzoi heqjen e lirisë së një deputeteje në mungesë të plotë të kushteve për ta ndërmarrë një hap të tillë ekstrem dhe, njëkohësisht, duke qenë se Shoqata e Molotovarëve të Tiranës ka filluar të flasë edhe në emër të Gjermanisë, përfitoj nga rasti të theksoj:
• Kjo shumicë qeverisëse e ka mendjen të ndarë dhe busullën të palëvizshme: Shqipëria 2030 në Bashkimin Europian
• Reforma në Drejtësi nuk kthehet mbrapa, pavarësia e gjyqësorit nuk preket dhe mbështetja për SPAK-un mbetet e palëkundur.
• Lufta reale kundër korrupsionit vazhdon, më këmbëngulëse se kurrë, siç e tregon qartë edhe pasqyra objektive e përditësuar Komisionit Europian.
• Belinda Balluku nuk akuzohet për korrupsion dhe hetimi i çështjes duhet të vazhdojë, i patrazuar as nga pengimi as nga yshtja e SPAK-ut, prej faktorësh jashtë kufijve të pushtetit të pavarur gjyqësor.
• Shumica qeverisëse, bëri sot pa asnjë diskutim atë që do të bënte çdo parlament demokratik i Europës, ku kalimi i kërkesave të prokurorisë jo për arrestin pa gjyq të një deputeti, po për të filluar apo jo hetimet, nuk është askund si kalimi pa asnjë lloj kontrolli i kufijve në zonën Shengen. Ai është një proces serioz, i bazuar në norma kushtetuese e ligjore, të cilat nuk janë as karta bianka, as dyer të mbyllura për prokurorinë. Sot ne i kemi respektuar plotësisht ato norma dhe kush pretendon të kundërtën, ka të drejtën e vet të padiskutueshme, po s’ka argumenta të mjaftueshëm për ta fituar debatin mbi ekzistencën ose jo të kufirit mes pushteteve të pavarur kushtetues, të cilin parlamenti i Shqipërisë e mbylli sot duke treguar se dinjiteti i parlamentarëve nuk është material për eksperimente socio-politike, të cilat e bëjnë kurën më të rrezikshme se sa sëmundja që duhet të luftojë! Ecim përpara, Shqipëria nuk ka plan B









