RAPORTIMI/ Bilanci i luftës me Iranin – Pentagoni: Kostua arriti mbi 11,3 miliardë dollarë në vetëm gjashtë ditët e para

Zyrtarë të Departamentit Amerikan të Mbrojtjes kanë informuar senatorët se vetëm gjatë gjashtë ditëve të para të luftës kundër Iranit, SHBA-ja ka shpenzuar më shumë se 11,3 miliardë dollarë, sipas raportimit të “NBC News”.

Shifra u prezantua para një nënkomisioni të Senatit për buxhetin e mbrojtjes. Senatori Chris Coons paralajmëroi se kostoja reale mund të jetë dukshëm më e lartë, pasi shuma aktuale nuk përfshin të gjitha shpenzimet dhe zëvendësimi i municioneve të përdorura tashmë kap mbi 10 miliardë dollarë.

Një zëdhënës i Pentagonit nuk komentoi mbi diskutimet me dyer të mbyllura, duke theksuar se kostoja totale e operacionit ushtarak “Epic Fury” do të bëhet e ditur vetëm pas përfundimit të misionit. Raporti fillimisht u publikua nga “The New York Times”.

Ky vlerësim vjen ndërsa administrata e presidentit Donald Trump po përgatit një kërkesë të re financimi nga Kongresi për të mbuluar shpenzimet e luftës, e cila tashmë ka hyrë në ditën e 11-të dhe ka shkaktuar qindra viktima në Lindjen e Mesme:

  • Iran: mbi 1 200 të vrarë sipas Shoqatës së Gjysmëhënës së Kuqe Iraniane
  • Izrael: 13 viktima
  • Emiratet e Bashkuara Arabe: 6 viktima
  • Liban: 570 viktima, sipas zyrës së kryeministrit libanez
  • SHBA: 7 ushtarë të vrarë dhe rreth 140 të plagosur

Tensionet janë shtuar edhe për shkak të sulmeve ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit, një zonë kyçe për transportin global të naftës. Komanda Qendrore e SHBA-së njoftoi se ka shkatërruar 16 mjete iraniane që vendosnin mina detare dhe disa anije luftarake pranë kësaj zone strategjike.

Presidenti Trump ka bërë deklarata kontradiktore, duke thënë se lufta mund të përfundojë “shumë shpejt”, por pranoi gjithashtu se kjo mund të jetë vetëm faza e parë, siç paralajmëroi edhe sekretari amerikan i mbrojtjes, Pete Hegseth.