Kryeministri Edi Rama komentoi për herë të parë përplasjen me deputeten e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, gjatë një takimi me Asamblenë e PS-së në njësinë 7 të Tiranës. Rama theksoi se mbledhja e zgjeruar e Grupit Parlamentar me qeverinë zgjati më shumë se 7 orë dhe u diskutuan çështje të rëndësishme, por mediat i kushtuan vëmendje vetëm përplasjes së tij me Spiropalin. Kryeministri shtoi se qytetarët kanë shqetësime më të mëdha dhe nuk duhet të humbasin kohë me “lojëra fjalësh”.
Rama: Ishte spektakolare dhe e pabesueshme edhe për mua, që nuk ka më se çfarë më surprizon, që ne mblidhemi në një mbledhje të zgjeruar të grupit parlamentar me qeverinë, për të diskutuar tema specifike. I kushtojmë orë të tëra çështjes së pronave dhe çështjes së shërbimit të Kadastrës dhe reformës në të; pastaj flasim për Reformën Territoriale, ku kryetari bën analizën, më pas zhvillojmë edhe një tjetër sesion për temat e komunikimit etj. Fillojmë në orën 11 dhe dalim në orën 6, dhe mediat kombëtare, nuk po diskutoj “tenxheret e vogla të mbushura me helm”, media kombëtare raportojnë për publikun se çfarë i tha Edi Rama njërës dhe çfarë i tha tjetrës. Njerëzit kanë votuar dhe kanë halle të tjera.









