Tensionet në Lindjen e Mesme po rrisin ndjeshëm praninë ushtarake në Qipro, ku disa shtete të NATO dhe të Bashkimit Evropian kanë nisur vendosjen e anijeve dhe avionëve luftarakë për të forcuar sigurinë në rajon.
Së fundmi në portin e Limasol ka mbërritur fregata gjermane FGS Nordrhein-Westfalen, duke iu bashkuar flotës ndërkombëtare që është vendosur rreth ishullit. Sipas qeverisë qipriote, Gjermania po kontribuon në “masa parandaluese” për mbrojtjen e vendit pas incidentit me një dron të dyshuar iranian që goditi ishullin më herët gjatë javës.
Vendosja e anijes gjermane vjen pas një koordinimi mes presidentit qipriot Nikos Christodoulides dhe kancelarit gjerman Friedrich Merz për rritjen e bashkëpunimit ushtarak në zonë.
Ndërkohë edhe vende të tjera kanë rritur praninë e tyre. Franca ka dërguar fregatën Languedoc në ujërat qipriote, ndërsa presidenti Emmanuel Macron ka njoftuar se aeroplanmbajtësja Charles de Gaulle do të vendoset gjithashtu në Mesdheun lindor.
Edhe Italia dhe Spanja kanë paralajmëruar dërgimin e fregatave Federico Martinengo dhe Cristobal Colon.
Nga ana tjetër, Greqia ka vendosur katër avionë luftarakë F-16 Fighting Falcon dhe dy fregata në ishull, përfshirë anijen Kimon, të cilën kryeministri Kyriakos Mitsotakis e ka quajtur “krenarinë e flotës greke”. Si kundërpërgjigje, Turqia ka paralajmëruar dërgimin e katër avionëve të saj F-16 në rajon.
Ndërkohë, Mbretëria e Bashkuar ka shtuar aktivitetin në bazën ajrore Akrotiri, ku janë dërguar helikopterë luftarakë AW159 Wildcat të armatosur me raketa kundër dronëve. Gjithashtu, luftanija HMS Dragon pritet të niset drejt rajonit, ndërsa sipas raportimeve të BBC po shqyrtohet edhe dërgimi i aeroplanmbajtëses HMS Prince of Wales.
Sipas kryeministrit britanik Keir Starmer, baza e Akrotirit është përdorur së fundmi si pikënisje për operacione kundër dronëve të lëshuar nga Irani, ku janë angazhuar edhe avionë luftarakë F-35 Lightning II të stacionuar në ishull.
Zhvillimet e fundit po e shndërrojnë Qipron në një nga pikat strategjike më të rëndësishme ushtarake në Mesdheun lindor, ndërsa tensionet në rajon vazhdojnë të rriten.









