Tensionet mes Uashingtonit dhe Madridit janë përshkallëzuar pasi presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se do të ndërpresë çdo marrëdhënie tregtare me Spanjën, pas refuzimit të këtij vendi për të lejuar përdorimin e bazave ushtarake për operacione që lidhen me Iranin.
“Ne do të ndërpresim çdo marrëdhënie tregtare me Spanjën. Nuk duam të kemi asnjë lidhje,” deklaroi Trump, duke e cilësuar qëndrimin e Madridit si “të papranueshëm”. Ai shtoi se i ka kërkuar sekretarit të Thesarit, Scott Bessent, të ndërmarrë hapa për ndalimin e transaksioneve me Spanjën.
Nga ana tjetër, kryeministri spanjoll Pedro Sánchez reagoi përmes një deklarate zyrtare, ku theksoi se Spanja është një partner i besueshëm tregtar dhe një anëtar kyç i NATO-s dhe Bashkimit Evropian.
“Spanja respekton angazhimet e saj dhe mban marrëdhënie historike e të ndërsjella përfitueshme me SHBA-në. Çdo rishikim i kësaj marrëdhënieje duhet të bëhet duke respektuar autonominë e bizneseve private, legjitimitetin ndërkombëtar dhe marrëveshjet mes BE-së dhe SHBA-së,” thuhet në reagim.
Trump kritikoi gjithashtu Spanjën për mosrritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, siç ka kërkuar ai nga aleatët e NATO-s, duke shtuar edhe më shumë tension në raportet mes dy vendeve.









