Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar ndaj ndryshimeve të mundshme në statutin e PD, veçanërisht për nenin 46 që përcakton që kryetari i partisë, nëse nuk fiton zgjedhjet, nuk ka të drejtë të rikandidojë.
Salianji paralajmëron se një qasje e tillë do të ishte imitim i sjelljes së kryeministrit Edi Rama, të cilin PD e ka denoncuar për uzurpim të rregullave dhe manipulim të ligjit. Ai thekson se opozita nuk duhet të bjerë në të njëjtin kurth, duke ndryshuar rregulla ose sulmuar faktorët ndërkombëtarë, pasi kjo do të dëmtonte besimin e qytetarëve te Partia Demokratike si alternativë politike.
“Çdo veprim që imiton modelin e Ramës nuk është zgjidhje, por uzurpim. Partia Demokratike nuk mund të hapë rrugë për ndryshime të njëanshme në Kushtetutën e saj dhe në Statut. Neni 46 është i qartë dhe i sanksionuar,” shkruan Salianji.
Ai paralajmëron gjithashtu se po shfaqet e njëjta logjikë që opozita ka denoncuar më parë tek qeveria: uzurpim i rregullave, shkatërrim i degëve dhe përjashtim i demokratëve, sikur partia të ishte pronë private e disa individëve, jo një strukturë e ndërtuar mbi vullnetin e anëtarësisë.









