Një 54-vjeçar nga Korçë u arrestua në pikën kufitare të Kapshticës, i dyshuar për kontrabandë të medikamenteve mjekësore dhe veshjeve nga Greqia.
Sipas policisë, gjatë kontrollit të automjetit të tij u gjetën dhe u sekuestruan sasi të ndryshme medikamentesh dhe veshjesh pa dokumentacion të rregullt. Automjeti dhe mallrat u morën si prova materiale, ndërsa shtetasi A. I. u arrestua në flagrancë për veprën penale “Kontrabanda me mallra të licencuara”.
Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë theksoi se kontrolli u krye në vijën e dytë të doganës, si pjesë e masave për parandalimin e paligjshmërisë në kufi. Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Korçës për hetime të mëtejshme.









