NGERÇI I PRESIDENTIT/ Kryeparlamentarja Haxhiu kundër Osmanit: Dekreti për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës është jokushtetues

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar ashpër ndaj dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, duke e cilësuar vendimin si jokushtetues dhe të ngutshëm.

Haxhiu bëri të ditur se Grupi Parlamentar i Lëvizja Vetëvendosje pritet ta dërgojë çështjen për shqyrtim në Gjykata Kushtetuese e Kosovës, duke kërkuar edhe një masë të përkohshme për pezullimin e dekretit.

“Pres që Gjykata Kushtetuese të veprojë me ndjeshmëri ndaj kësaj çështjeje dhe të marrë një vendim të shpejtë, sepse pasojat mund të jenë të pariparueshme”, deklaroi Haxhiu.

Sipas saj, nëse dekreti për shpërndarjen e Kuvendit mbetet në fuqi, institucioni nuk mund të vazhdojë punën. Megjithatë, ajo theksoi se situata mund të ndryshojë në rast se Gjykata Kushtetuese vendos një masë të përkohshme.

Haxhiu u shpreh se vendimi i presidentes Osmani ka qenë një surprizë, duke argumentuar se Kushtetuta parashikon qartë rrethanat kur mund të shpërndahet Kuvendi, ndërsa në këtë rast, sipas saj, këto kushte nuk janë plotësuar.

Në fund, kryetarja e Kuvendit u bëri thirrje institucioneve dhe aktorëve politikë që të tregojnë qetësi dhe profesionalizëm, ndërsa kërkoi që Gjykata Kushtetuese të lihet të bëjë punën e saj pa presione politike.