Një performancë e jashtëzakonshme është regjistruar në NBA, ku ylli i Miami Heat, Bam Adebayo, realizoi një nga ndeshjet më spektakolare në historinë e ligës.
Adebayo shënoi plot 83 pikë në fitoren e Miami ndaj Washington Wizards me rezultatin 150-129, duke regjistruar kështu rezultatin e dytë më të lartë të pikëve në një ndeshje të vetme në historinë e kampionatit.
Me këtë paraqitje, basketbollisti i Miami la pas rekordin e legjendës Kobe Bryant, i cili kishte realizuar 81 pikë në vitin 2006, ndërsa para tij në histori mbetet vetëm Wilt Chamberlain, me 100 pikët e famshme në vitin 1962.
Dominimi i Adebayo ishte i dukshëm gjatë gjithë ndeshjes. Ai realizoi 31 pikë në çerekun e parë, 12 në të dytin, 19 në të tretin dhe 21 në çerekun e fundit.
Basketbollisti amerikan gjuajti 20 nga 43 tentativa nga fusha, ndërsa nga vija e gjuajtjeve të lira realizoi 36 nga 43, duke qenë vendimtar në triumfin e skuadrës së tij.
Te Miami u dallua edhe Simone Fontecchio, i cili kontribuoi me 18 pikë, ndërsa për Wizards më të mirët ishin Alexandre Sarr me 28 pikë dhe Will Riley me 22.
Ndeshja u vendos praktikisht në mesin e çerekut të tretë, kur Miami krijoi një diferencë mbi 20 pikë, ndërsa pjesa e mbetur e takimit u kthye në një spektakël për Adebayo dhe rekordin e tij historik.









