Shtëpia e Bardhë dërgoi një mesazh të qartë dhe sfidues ndaj Iranit, duke deklaruar se Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura për një përballje të zgjatur ushtarake.
Zëdhënësja Karoline Leavitt theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë “më shumë se sa duhet” kapacitete ushtarake për të çuar përpara operacionet kundër Iran, duke shtuar se rezervat amerikane janë të shpërndara në pika strategjike që “shumëkush në botë as nuk i di”.
Deklarata vjen në një moment tensioni të lartë, ndërsa administrata amerikane ka paralajmëruar se operacionet ushtarake do të vazhdojnë. Leavitt mbrojti gjithashtu qëndrimin e presidentit Donald Trump, duke sqaruar se komentet e tij të mëparshme për rezervat e armëve lidhen me politikat e administratës së ish-presidentit Joe Biden dhe dërgimin e armëve në Ukrainë, jo me ndonjë mungesë aktuale furnizimesh.
Ndërkohë, drejtues të industrisë së mbrojtjes pritet të takohen në Shtëpinë e Bardhë për të rritur prodhimin ushtarak, duke sinjalizuar se Uashingtoni po përgatitet për një konflikt që mund të zgjasë.
E pyetur për kritikat e kryeministrit britanik Keir Starmer mbi mungesën e një plani të qartë, Leavitt i hodhi poshtë pretendimet, duke theksuar se presidenti nuk vepron “në vakum” dhe se vendimet e marra janë të bazuara në vlerësime konkrete të kërcënimit.









