MESAZHI I FORTE/ I dimë kazermat tuaja” – Vuçiç paralajmëron Shqipërinë dhe Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, ka dhënë një mesazh të fortë lidhur me zhvillimet ushtarake në rajon, duke deklaruar se Beogradi ka informacion për kapacitetet ushtarake në Shqipëri dhe Kosovë.

Gjatë një vizite në fabrikën e industrisë mbrojtëse “Milan Blagojeviç”, Vuçiç theksoi se Serbia po avancon në industrinë e armatimeve dhe se eksportet e armëve “po ecin përpara”, ndërsa nevojat e ushtrisë po rriten.

Komentet e tij vijnë në një kohë kur bashkëpunimi ushtarak mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë është parë nga Beogradi si një zhvillim që mund të jetë i drejtuar kundër Serbisë. Kjo, sipas Vuçiç, e bën të domosdoshëm forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve mbrojtëse.

“Nëse nuk do të ishim mjaftueshëm të fortë, askush nuk do të na respektonte”, u shpreh ai, duke shtuar se Serbia po investon në teknologji moderne, përfshirë inteligjencën artificiale dhe digjitalizimin në industrinë ushtarake.

Vuçiç deklaroi gjithashtu se Serbia ka një mbrojtje ajrore “shumështresore” dhe se është e vështirë të depërtohet në hapësirën ajrore të saj. Ai paralajmëroi edhe blerje të reja ushtarake në të ardhmen e afërt, për të rritur më tej kapacitetet mbrojtëse.

Sipas të dhënave ndërkombëtare, Serbia renditet ndër vendet kryesore në rajon për importin e sistemeve të avancuara të armëve, ndërsa vazhdon të bashkëpunojë me vende si Kina dhe Turqia për furnizime ushtarake.