Mes tensioneve në rritje në Lindjen e Mesme, media azerbajxhanase “Caliber” raporton se Irani po shqyrton mundësinë e një sulmi ndaj kampit Ashraf-3 në Shqipëri, ku ndodhet selia e Organizata Muxhahedine e Popullit të Iranit (MEK). Autoritetet iraniane e referojnë këtë organizatë me termin “Monafeqin” dhe e konsiderojnë të përfshirë në aktivitete armiqësore ndaj Teheranit.
Sipas raportimit, Shërbimi për shtyp i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) ka deklaruar në Telegram se veprimet e mundshme lidhen me struktura që Irani i cilëson si kërcënim. Media sugjeron se, pas sulmeve të fundit iraniane ndaj objektivave në Qipro, Teherani po sinjalizon zgjerim të kapaciteteve operacionale përtej rajonit.
Megjithatë, ekspertë të sigurisë e konsiderojnë një skenar të tillë pothuajse të pamundur. Sipas tyre, çdo raketë apo dron iranian për të arritur Shqipërinë do të duhej të kalonte mbi hapësira ajrore të monitoruara nga Turqia, Iraku apo Mesdheu, ku vepron Flota e Gjashtë e SHBA-së dhe sistemet e integruara të mbrojtjes ajrore të NATO-s. Një sulm ndaj Shqipërisë do të nënkuptonte përplasje të drejtpërdrejtë me NATO-n.
Çfarë është MEK?
MEK, e themeluar në vitin 1965, nisi si një lëvizje islamike me prirje socialiste kundër regjimit të Shahut në Iran. Pas Revolucionit Islamik, marrëdhëniet e saj me regjimin e ri u përkeqësuan dhe organizata u shpall e paligjshme.
Në vitet 1980, MEK u zhvendos në Irak dhe bashkëpunoi me regjimin e Saddam Hussein gjatë luftës Iran-Irak, një kapitull që mbetet i debatueshëm. SHBA e shpalli organizatë terroriste në vitin 1997, por e hoqi nga lista në vitin 2012, duke argumentuar se kishte hequr dorë nga dhuna.
Që prej vitit 2013, me mbështetjen e SHBA-së dhe OKB-së, anëtarët e MEK janë zhvendosur në Shqipëri, ku rreth 3 mijë prej tyre jetojnë në kampin Ashraf-3, pranë Manzës.
Zhvillimet e fundit vijnë në një klimë tensioni të shtuar rajonal, por deri më tani nuk ka konfirmim zyrtar për ndonjë kërcënim konkret ndaj territorit shqiptar.









