Media amerikane – The Washington Post: SHBA shqyrton opsione për ndërhyrje tokësore në Iran

Shtetet e Bashkuara po analizojnë mundësinë e një ndërhyrjeje tokësore në Iran, raportoi “The Washington Post”, duke cituar zyrtarë amerikanë që kanë folur në kushte anonimiteti.

Sipas raportimit, Pentagoni po përgatitet për skenarë që mund të përfshijnë disa javë operacione në terren, megjithëse nuk bëhet fjalë për një pushtim të plotë. Planet e mundshme përfshijnë aksione të kufizuara nga forcat speciale dhe njësi të këmbësorisë.

Ende nuk është e qartë nëse presidenti Donald Trump do të miratojë një plan të tillë. Ai ka shprehur më parë skepticizëm për një operacion tokësor, duke e cilësuar si të panevojshëm, ndërsa së fundmi ka deklaruar se nuk planifikon të dërgojë trupa në terren.

Megjithatë, administrata amerikane ka ndërmarrë hapa për të rritur praninë ushtarake në rajon, duke planifikuar dislokimin e mijëra trupave nga Divizioni i 82-të Ajror.

Ndërkohë, mbështetja publike për një ndërhyrje të tillë mbetet e ulët. Sipas një sondazhi të kryer nga “Associated Press” dhe një institut kërkimor në Universitetin e Çikagos, shumica e amerikanëve kundërshtojnë dërgimin e trupave tokësore në Iran, ndërsa vetëm një pjesë e vogël e mbështet një veprim të tillë.