LAJMI I FUNDIT/ Paralajmërim i fortë nga Teherani: Qëndroni larg bankave!

Autoritetet në Teheran kanë paralajmëruar se bankat dhe institucionet financiare në Lindjen e Mesme mund të bëhen objektiva të sulmeve, në një përshkallëzim të ri të tensioneve mes Iranit, Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit.

Sipas deklaratës së Komandës së përbashkët ushtarake iraniane, vendimi vjen si përgjigje ndaj asaj që Teherani e cilëson si sulm ndaj një banke iraniane nga SHBA-ja dhe Izraeli.

“Me këtë akt të paligjshëm dhe jo konvencional në luftë, armiku na ka dhënë dritën jeshile për të goditur qendrat ekonomike dhe bankat që i përkasin SHBA-së dhe regjimit sionist në rajon”, deklaroi një zëdhënës i komandës ushtarake iraniane.

Autoritetet iraniane u kanë bërë thirrje qytetarëve në rajon të qëndrojnë larg bankave dhe institucioneve financiare, duke paralajmëruar se ato mund të bëhen objektiva brenda një rrezeje prej rreth një kilometri.

Deklarata vjen pak pasi presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, kishte theksuar se vendi i tij synon vetëm bazat nga të cilat kryhen sulme kundër territorit iranian. Megjithatë, raportet e fundit sugjerojnë se lista e objektivave është zgjeruar për të përfshirë edhe asete amerikane dhe izraelite që nuk janë domosdoshmërisht ushtarake.

Sipas raportimeve të Sky News, përshkallëzimi i konfliktit ka rritur frikën se institucionet financiare në rajon mund të përballen jo vetëm me sulme fizike, por edhe me operacione kibernetike si pjesë e përplasjes në rritje.