Teksa kryeministri Edi Rama shprehet i bindur për një fitore edhe më të thellë në zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm, kreu i Partia Demokratike e Shqipërisë, Sali Berisha, ka paralajmëruar protestën e radhës kundër qeverisë, që pritet të zhvillohet nesër.
Pa dhënë detaje të plota mbi organizimin, Berisha bëri të ditur se deputetët e opozitës nuk do të jenë në vijën e parë, por do të shpërndahen pranë protestuesve në zonat e tyre.
Ai u bëri thirrje mbështetësve të dalin në protestë edhe me automjetet e tyre dhe të bllokojnë rrugët, duke e cilësuar këtë si një formë presioni ndaj qeverisë.
Sipas Berishës, opozita përballet me censurë dhe manipulim informacioni, të cilat ai i konsideron si shtylla kryesore të sistemit aktual, ndërsa u kërkoi qytetarëve të përdorin rrjetet sociale për të denoncuar atë që e cilëson si propagandë qeveritare.
Protesta e radhës vjen në kuadër të aksionit opozitar të quajtur “kilometri i fundit” drejt pushtetit. Megjithatë, deri më tani, këto protesta nuk kanë prodhuar ndryshime konkrete politike, ndërsa në disa raste janë shoqëruar me tensione dhe incidente.
Nga ana tjetër, ndërsa protestat vijojnë, Partia Demokratike e Shqipërisë ende nuk ka nisur përgatitjet e plota për zgjedhjet e ardhshme lokale, duke u fokusuar fillimisht në proceset e brendshme drejtuese.









