KERCITJA ME SHBA/“S’besojmë te bombardimet për rrëzim pushteti” – Starmer vendos vijën e kuqe për qëndrimin ndaj konfliktit me Iranin

Kryeministri britanik Keir Starmer deklaroi në Dhomën e Komunave se Londra nuk mbështet përmbysjen e regjimeve përmes ndërhyrjeve ajrore, pas operacionit të përbashkët amerikano-izraelit që çoi në vrasjen e udhëheqësit suprem të Iranit, Ali Khamenei.

“Kjo qeveri nuk beson në ndryshimin e regjimit nga qielli. Mësimet e historisë na kanë mësuar se është e rëndësishme kur marrim vendime të tilla, të përcaktojmë se ekziston një bazë ligjore për atë që po bën Mbretëria e Bashkuar”, u shpreh Starmer para deputetëve.

Ai konfirmoi gjithashtu se Mbretëria e Bashkuar ka pranuar një kërkesë nga SHBA për përdorimin e bazave britanike në operacione që i cilësoi si “mbrojtëse”, të lidhura me objektiva raketorë iranianë. Megjithatë, kryeministri theksoi se çdo përfshirje ushtarake do të kalojë përmes filtrit të ligjshmërisë. “Nuk jam i përgatitur t’i angazhoj ushtarët tanë në veprim nëse nuk jam i sigurt se ajo që po bëjnë është e ligjshme”, shtoi ai.

Nga ana tjetër, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se objektivi i sulmeve ndaj Iranit nuk është ndryshimi i regjimit. Por Presidenti Donald Trump ka mbajtur një qëndrim më të ashpër, duke sugjeruar hapur se një ndryshim pushteti në Teheran do të ishte i mirëpritur.

“Kur të mbarojmë, merrni qeverinë tuaj. Do të jetë e juaja për ta marrë. Ky do të jetë ndoshta shansi juaj i vetëm për breza të tërë”, deklaroi Trump gjatë fundjavës.

Qëndrimet e ndryshme mes Londrës dhe Uashingtonit nxjerrin në pah nuancat brenda aleancës perëndimore për mënyrën se si duhet trajtuar përshkallëzimi me Iranin, ndërsa tensionet në rajon mbeten të larta.