Irani ka ashpërsuar tonet ndaj Shtetet e Bashkuara, duke paralajmëruar se konflikti nuk do të ndalet pa u përmbushur disa kushte kyçe. Mohsen Rezaei, ish-komandant i Gardës së Revolucionit dhe anëtar i Këshillit për Interesat e Shtetit, deklaroi se çdo goditje ndaj infrastrukturës iraniane do të marrë përgjigje të fortë.
Në një intervistë për televizionin shtetëror, Mohsen Rezaei përdori tone të ashpra, duke paralajmëruar se SHBA mund të përballet me pasoja serioze në rajonin e Gjirit Persik. Ai theksoi se lufta do të vijojë derisa të kompensohen dëmet e shkaktuara, të hiqen sanksionet ekonomike dhe të garantohet mosndërhyrja e mëtejshme amerikane në çështjet e brendshme të Iranit.
Sipas tij, ky qëndrim përfaqëson një vendim të përbashkët të institucioneve shtetërore, udhëheqjes dhe forcave të armatosura iraniane.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se gjatë fundjavës janë zhvilluar “biseda produktive” mes dy vendeve dhe njoftoi pezullimin përkohësisht të sulmeve ndaj objekteve energjetike iraniane për një periudhë pesëditore.
Megjithatë, pretendimet për negociata janë kundërshtuar nga Mohammad-Bagher Ghalibaf, kryetar i Parlamentit iranian, i cili ka mohuar publikisht çdo kontakt me SHBA-në, duke i cilësuar këto raportime si të pavërteta









