Shoshana Strook, 34 vjeçe, vajza e ministres izraelite për Misione Kombëtare, Orit Strook, është gjetur e vdekur gjatë natës në banesën e saj në veri të Israel. Lajmi u konfirmua nga vetë ministrja përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Me zemër të thyer njoftojmë ndarjen nga jeta të vajzës sonë të dashur, Shoshana”, shkroi ajo.
Rrethanat e vdekjes mbeten ende të paqarta, ndërsa policia ka nisur një hetim për zbardhjen e ngjarjes.
Në muajt e fundit, Shoshana kishte bërë disa deklarata publike ku akuzonte prindërit për abuzim seksual dhe përfshirje në rituale të dhunshme gjatë fëmijërisë. Në postimet e saj në rrjetet sociale, ajo pretendonte se ishte detyruar të merrte pjesë në ceremoni abuzive dhe se ishte ekspozuar ndaj drogës dhe hipnozës që në moshë shumë të vogël.
Në një video të publikuar në muajin shkurt, ajo deklaronte se abuzimet kishin nisur që në moshën dy vjeç e gjysmë. Në një tjetër postim, Shoshana pretendonte se babai i saj e kishte shfrytëzuar dhe “shitur” në Tel Aviv që nga mosha 13-vjeçare.
Megjithatë, autoritetet izraelite kanë deklaruar se deri tani nuk kanë arritur të verifikojnë këto pretendime, ndërsa hetimet për rastin vazhdojnë.
Pas lajmit për vdekjen e saj, organizata të ndryshme për të drejtat e grave në Izrael kërkuan një hetim të plotë dhe transparent, duke theksuar se Shoshana nuk kishte marrë mbështetjen e duhur institucionale.
Në kujtim të saj u organizua edhe një protestë e heshtur në Zion Square në Jerusalem, ku pjesëmarrësit mbajtën pankarta me mesazhin: “Ne të besojmë, Shoshana”.
Pas ngjarjes, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe disa ministra të kabinetit shprehën ngushëllimet për familjen Strook. Zyra e kryeministrit njoftoi se Netanyahu kishte folur me ministren dhe kishte marrë me “hidhërim të thellë” lajmin për vdekjen e vajzës së saj.










