Pesë nga shtetet më të fuqishme evropiane, së bashku me Japoninë, kanë dalë me një deklaratë të fortë ndërkombëtare, duke paralajmëruar se janë të gatshme të ndërmarrin hapa konkretë për të garantuar sigurinë në një nga pikat më kritike të globit – Ngushticën e Hormuzit.
Në një reagim të përbashkët, këto vende theksuan se janë të vendosura të mbrojnë stabilitetin e tregjeve globale të energjisë dhe të sigurojnë kalimin e lirë dhe të sigurt të anijeve në këtë korridor jetik për transportin e naftës dhe gazit.
Deklarata vjen në një moment tensionesh të larta në Lindjen e Mesme, ku sulmet e fundit të Iranit kanë rritur ndjeshëm shqetësimet për një përshkallëzim të mëtejshëm që mund të godasë drejtpërdrejt ekonominë globale. Vendet nënshkruese dënuan këto veprime dhe i bënë thirrje Irani të ndalojë menjëherë çdo akt që cenon sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare.
Në deklaratë theksohet qartë se liria e lundrimit mbetet një parim themelor i së drejtës ndërkombëtare dhe një element kyç për stabilitetin ekonomik botëror. Çdo kërcënim ndaj këtij parimi shihet si një rrezik serioz për furnizimin global me energji dhe për sigurinë ndërkombëtare.
Ky qëndrim i koordinuar sinjalizon një rritje të presionit ndaj Iranit dhe një gatishmëri në rritje të fuqive të mëdha për të ndërhyrë nëse situata përkeqësohet më tej. Në sfondin e një krize energjetike që po rëndon ekonomitë globale, Ngushtica e Hormuzit mbetet një pikë nevralgjike që mund të përcaktojë zhvillimet e ardhshme në skenën ndërkombëtare.









