Ëndrra e Shqipërisë për një kualifikim historik në Botërorin 2026 është mbyllur mbrëmjen e kësaj të enjteje, pas humbjes 2-1 ndaj Polonisë në stadiumin “PGE Narodowy” në Varshavë.
Kuqezinjtë e nisën ndeshjen në mënyrën më të mirë, duke kaluar në avantazh në minutën e 42-të me golin e Arbër Hoxhës, që i dha shpresë një kombi të tërë.
Megjithatë, në pjesën e dytë, vendasit reaguan fuqishëm dhe përmbysën rezultatin. Fillimisht ishte Robert Lewandowski që barazoi në minutën e 63-të, ndërsa më pas Piotr Zielinski realizoi golin e fitores në minutën e 73-të.
Pavarësisht paraqitjes së mirë dhe luftës në fushë, Shqipëria nuk arriti të ruajë avantazhin, duke i dhënë fund kështu aventurës së saj në fazën “play-off”, ku merrte pjesë për herë të parë në histori.
Një mbrëmje zhgënjyese për kuqezinjtë, por një eksperiencë që mbetet një hap i rëndësishëm për të ardhmen e ekipit.









