Foto në bregdet – Kandidati për Kryepolic, Skënder Hita, në kafe me Altin Dumanin

Skënder Hita, një nga emrat që përmendet si kandidat i mundshëm për postin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, është fotografuar duke pirë kafe me prokurorin special Altin Dumani.

Fotoja, e publikuar nga media online, duket se është realizuar në një lokal në bregdet. Nga pamjet, të dy shfaqen të veshur në mënyrë informale, çka sugjeron se takimi nuk ka qenë zyrtar. Nuk dihet gjithashtu nëse fotografia është e realizuar së fundmi apo i përket një periudhe më të hershme.

Hita aktualisht drejton Drejtorinë Vendore të Policisë në Fier dhe gjatë periudhave zgjedhore ka qenë shpesh në qendër të kritikave nga opozita. Mes tyre, Gazment Bardhi e ka akuzuar më herët se vepronte në favor të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke paralajmëruar edhe kallëzim në SPAK.

Fotografia e publikuar së fundmi ka nxitur diskutime politike, pasi tregon një takim informal mes drejtuesit të policisë dhe kreut të strukturës së posaçme të hetimit, në një kohë kur çështje të ndryshme politike dhe institucionale kanë qenë në fokus të debatit publik.