EMRI/ Aksident tragjik në Levan–Tepelenë – humb jetën 39-vjeçarja dhe 2 të plagosur

Një aksident i rëndë rrugor me pasojë vdekjen e një personi është regjistruar mëngjesin e së dielës në aksin Levan–Tepelenë.

Ngjarja ndodhi në kryqëzimin që lidh fshatin Varibop me autostradën. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes dhe Policia e Shtetit, një automjet tip Kia i drejtuar nga 39-vjeçarja Nertila Abazaj ka dalë nga rruga e fshatit për t’u futur në autostradë.

Në momentin e hyrjes në aks, makina është përplasur me një furgon që po qarkullonte në këtë segment rrugor. Si pasojë e përplasjes së fortë, 39-vjeçarja ka humbur jetën në vendngjarje.

Ndërkohë, drejtuesi i furgonit dhe pasagjeri që ndodhej në të janë transportuar drejt Spitali Rajonal i Fierit për ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Pas aksidentit në vendngjarje mbërritën shërbimet e policisë, patrullat e qarkullimit rrugor dhe forcat zjarrfikëse për nxjerrjen e trupit të viktimës nga automjeti dhe për normalizimin e trafikut në këtë segment.

Ndërkohë, grupi hetimor vijon punën për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e këtij aksidenti tragjik.