Pas eliminimit nga UEFA Champions League, Inter mund të përballet edhe me një gjobë financiare për shkak të sponsorit të shfaqur në fanellë gjatë ndeshjes së parë kundër Bodø/Glimt në Norvegji.
Në qendër të çështjes është një sponsor i lidhur me lojërat e fatit, i cili sipas ligjeve norvegjeze nuk lejohet të reklamohet nga operatorë privatë. Sipas raportimeve të së përditshmes norvegjeze Aftenposten, reklamat e basteve janë të autorizuara vetëm për operatorët shtetërorë si Norsk Tipping dhe Norsk Rikstoto, ndërsa shkeljet mund të sjellin sanksione financiare.
Klubi norvegjez, si organizator i ndeshjes, ka deklaruar se ka vepruar në përputhje me rregulloret vendase dhe se e kishte informuar paraprakisht Interin për kufizimet ligjore që lidhen me reklamat e alkoolit dhe lojërave të fatit. Megjithatë, autoriteti norvegjez i mbikëqyrjes së lojërave të fatit, Lotteritilsynet, ka nisur verifikime të detajuara për rastin.
Sipas Bodø/Glimt, klubi italian kishte marrë më herët miratimin e autoriteteve sportive italiane për përdorimin e asaj fanele me sponsorin përkatës. Një situatë e ngjashme ishte regjistruar në tetor 2024, kur Interi luajti në transfertë ndaj Young Boys në Zvicër, por në atë rast nuk u vendosën sanksione, pasi sponsori u konsiderua faqe informatike dhe jo portal bastesh.
Çështja pritet të rikthehet në vëmendje edhe në raundin e ardhshëm të Champions League, kur Sporting CP do të luajë në transfertë në Aspmyra Stadion. Klubi portugez, i cili gjithashtu ka sponsor një agjenci bastesh, është paralajmëruar se mund të detyrohet të përdorë një fanellë alternative për të respektuar ligjet norvegjeze.









