Betonimi i Berishës në krye të partisë – shqetësohet Salianji: “Po uzurpohet PD”

Ervin Salianji ka reaguar pas aludimeve se mund të marrë pjesë në garën për drejtimin e Partisë Demokratike më 23 maj. Në një lidhje telefonike për A2CNN, ai kritikoi mungesën e rregullave të qarta, listave të përcaktuara dhe kohës për fushatë, duke theksuar se kjo vazhdon logjikën e uzurpimit të partisë, në një aluzion të qartë ndaj Sali Berishës.

“Deri tani nuk ka rregulla loje, nuk ka lista të përcaktuara, nuk ka kohë për fushatë dhe nuk ka alternativa që propozohen, vazhdojnë me këtë logjikën e uzurpimit të partisë”, tha Salianji.

Sa i përket kandidimit të tij, Salianji nuk dha një përgjigje konkrete, duke thënë se “nuk është e përcaktuar se si dhe sa kohë do kenë kandidatët”.

Megjithatë, sipas gazetares Denada Kola për Euronews Albania, burime të sigurta kanë bërë me dije se Salianji pritet të garojë për drejtimin e PD-së më 23 maj.