“Bëni sikur nuk e thashë” – Trump lëshon deklaratën që shqetëson për fqinjin jugor: Kuba është e radhës

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka bërë një deklaratë të fortë lidhur me Kubën gjatë një forumi investimesh në Miami, duke lënë të kuptohet për një përshkallëzim të mundshëm të politikës amerikane ndaj ishullit.

“Kuba është e radhës… por bëni sikur nuk e thashë këtë”, u shpreh Trump, duke krijuar menjëherë reagime dhe spekulime mbi qëllimet e tij.

Megjithëse nuk dha detaje konkrete mbi planet e administratës së tij, Trump theksoi se qeveria në Havana ndodhet në një krizë të thellë ekonomike dhe, sipas tij, është pranë kolapsit. Ai përmendi gjithashtu se SHBA ka zhvilluar negociata me disa përfaqësues të udhëheqjes kubaneze javët e fundit.

Në të njëjtën kohë, presidenti nuk përjashtoi as mundësinë e përdorimit të forcës ushtarake, duke kujtuar investimet në fuqizimin e ushtrisë amerikane.

Deklaratat e tij vijnë në një moment tensionesh të larta ndërkombëtare, ndërsa mbetet e paqartë nëse bëhet fjalë për një strategji konkrete apo për një mesazh politik me tone paralajmëruese.