A rrezikohet vendi ynë nga Irani për shkak të strehimit opozitës iraniane MEK në Shqipëri? – Reagon Ambasada e SHBA

Pas përshkallëzimit të tensioneve në Lindjen e Mesme dhe konfliktit mes Iranit, Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara, është rritur interesimi për sigurinë e Shqipërisë, për shkak të pranisë në vend të anëtarëve të organizatës opozitare iraniane MEK.

Në një reagim për Euronews Albania, Ambasada e SHBA në Tiranë theksoi se Uashingtoni dhe Tirana janë në kontakt të vazhdueshëm për çështjet e sigurisë.

“Si aleatë në NATO, Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria diskutojnë dhe koordinohen rregullisht për shqetësimet e përbashkëta të sigurisë. Ne mbetemi vigjilentë për të garantuar sigurinë e qytetarëve amerikanë dhe shqiptarë njëkohësisht”, thuhet në përgjigjen zyrtare të ambasadës.

Interesi për këtë çështje është shtuar pasi Shqipëria prej vitesh strehon mijëra anëtarë të MEK, një organizatë opozitare iraniane, prania e së cilës ka shkaktuar shpesh tensione diplomatike mes Tiranës dhe Teheranit.

Kujtojmë se në vitin 2022, Tirana ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Teheranin pas një sulmi të madh kibernetik ndaj institucioneve shtetërore shqiptare, për të cilin autoritetet shqiptare dhe partnerët ndërkombëtarë fajësuan aktorë të lidhur me shtetin iranian.

Megjithëse nuk është konfirmuar ndonjë kërcënim konkret ndaj Shqipërisë, ambasada amerikane thekson se koordinimi mes aleatëve mbetet i vazhdueshëm në një kohë kur tensionet gjeopolitike në rajone të ndryshme të botës janë në rritje.