Një aksident i tmerrshëm ka ndodhur mëngjesin e së enjtes në Santiago të Kilit, kur një kamion që transportonte gaz të lëngshëm përmbyse dhe shpërtheu në mes të autostradës Autopista General Velásquez, pranë kryqëzimit të rrugëve Los Atacameños dhe Avenida Fresia.
Sipas raportimeve të Reuters dhe autoriteteve lokale, të paktën katër persona kanë humbur jetën, përfshirë shoferin e kamionit, ndërsa 17 të tjerë janë plagosur, disa në gjendje kritike.
Në videot që qarkullojnë në rrjetet sociale shihet një re e dendur tymi të bardhë që mbulon autostradën dhe automjetet përreth. Pak sekonda më vonë ndodhi shpërthimi, duke krijuar një shtëllungë të madhe zjarri që u përhap në një rreze prej 150–200 metrash dhe shkaktoi dëme në të paktën 50 automjete.
Guvernatori i rajonit metropolitan të Santiagos, Claudio Orrego, deklaroi se pesë persona ndodhen në gjendje të rëndë. Flakët u përhapën gjithashtu në një depo automjetesh të një kompanie ankandesh dhe në objekte të tjera përreth, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.
Hetimet për shkaqet e aksidentit dhe rrethanat e ngjarjes janë në vijim.









