VIDEO-LAJM/ Sekretari Rubio paralajmëron: Vizitorëve që cënojnë interesat e SHBA-së do t’u anulohet viza

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi gjatë vizitës në Budapest se çdo i huaj që hyn në SHBA dhe vepron kundër interesave kombëtare të vendit, do të përballet me heqjen e vizës.

“E kam thënë vazhdimisht. Nëse hyni në vendin tonë si vizitor dhe ndërmerrni veprime kundër interesave të Shteteve të Bashkuara, ne do t’jua heqim vizën”, u shpreh ai.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin hungarez Viktor Orbán, Rubio theksoi gjithashtu se marrëdhëniet SHBA-Hungari ndodhen në një “fazë të artë”, duke përmendur bashkëpunimin konkret në ekonomi dhe energji si dhe rritjen e investimeve amerikane në vend.

Sipas tij, Hungaria është kthyer në një partner të rëndësishëm strategjik dhe klima e biznesit nën qeverinë e Orbán mbetet konkurruese dhe tërheqëse për investitorët.