Bashkimi Evropian ka pezulluar ratifikimin e marrëveshjes tregtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shtuar pasiguri të re në marrëdhëniet transatlantike. Vendimi vjen pasi Gjykata Supreme e SHBA-së rrëzoi përdorimin e fuqive të emergjencës nga Presidenti Donald Trump për vendosjen e tarifave të ashtuquajtura “hakmarrëse”.
Eurodeputetët pezulluan procedurat legjislative për miratimin e marrëveshjes, duke kërkuar qartësi nga Uashingtoni mbi drejtimin e ri të politikës tarifore amerikane.
“Ne duam qartësi mbi situatën. Duam një siguri të qartë nga SHBA-të se po e respektojnë marrëveshjen, sepse ky është një element thelbësor”, deklaroi Bernd Lange, kryetar i Komitetit të Tregtisë Ndërkombëtare në Parlamentin Evropian.
Vendimi zgjat më tej procesin për një marrëveshje që u arrit verën e kaluar, por ende nuk është zbatuar plotësisht. Nëse pakti dështon, ai mund të thellojë tensionet mes BE-së dhe SHBA-së, të cilat tashmë janë testuar nga qëndrimet e administratës Trump mbi luftën në Ukrainë dhe çështje të tjera gjeopolitike.
Orë pas vendimit të Gjykatës Supreme, Trump njoftoi një tarifë globale prej 10%, të cilën më vonë e rriti në 15%, duke shtuar paqartësinë për partnerët tregtarë. Ai paralajmëroi gjithashtu se do të ruajë tarifat ekzistuese sipas Seksioneve 301 dhe 232 dhe të nisë hetime të reja tregtare.
Zyrtarët evropianë kërkojnë garanci të qarta mbi përputhshmërinë e masave të reja me marrëveshjet ekzistuese, përpara se të vazhdojnë me procesin e ratifikimit.









