TRONDITET IZRAELI/ Prokuroria thërret Netanyahun për skandalin e rrjedhjes së sekreteve shtetërore

Prokurorja e Përgjithshme e Izraelit, Gali Baharav-Miara, ka autorizuar marrjen në pyetje të kryeministrit Benjamin Netanyahu në kuadër të një hetimi për rrjedhjen e dokumenteve të klasifikuara.

Sipas transmetuesit publik KAN, ende nuk është caktuar një datë për dëshminë e Netanyahut. Ai pritet të pyetet lidhur me mënyrën se si informacioni i ndjeshëm është marrë nga zyra e tij dhe si ka përfunduar në media.

Hetimi lidhet me dyshimet se shefi i stafit të kryeministrit, Tzachi Braverman, ka tentuar të pengojë një hetim mbi transferimin e dokumenteve konfidenciale në gazetën gjermane Bild. Mbi këtë çështje është vendosur edhe një urdhër konfidencialiteti nga gjykata, i cili mbetet në fuqi.

Braverman është ndaluar më herët nën dyshimin për përpjekje për të penguar hetimin. Ai konsiderohet një figurë me ndikim brenda Zyrës së Kryeministrit dhe përgjegjës për menaxhimin e materialeve të ndjeshme.

Në të njëjtin hetim është përfshirë edhe ish-zëdhënësi i Netanyahut, Eli Feldstein, i cili është thirrur sërish për të dëshmuar. Sipas dosjes hetimore, Feldstein dyshohet se në vitin 2024 ka tentuar të publikojë një dokument të klasifikuar në “Bild”, me qëllim ndikimin e opinionit publik në kohën e protestave të zhvilluara gjatë negociatave për shkëmbimin e pengjeve në Rripin e Gazës.

Autoritetet izraelite vijojnë hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të çështjes dhe përgjegjësitë eventuale.