Të paktën 46 persona kanë humbur jetën pas reshjeve të rrëmbyeshme që goditën juglindjen e Brazil, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se bilanci mund të rëndohet, pasi 21 persona rezultojnë ende të zhdukur.
Stuhitë me intensitet të pazakontë përfshinë të hënën qytetet Juiz de Fora dhe Ubá, në shtetin Minas Gerais, duke shkaktuar përmbytje masive, rrëshqitje dheu, shembje banesash dhe rrjedha të fuqishme balte.
Situatë dramatike në Juiz de Fora
Në Juiz de Fora, një qytet me rreth 540 mijë banorë, ekipet e emergjencës thonë se shanset për të gjetur të mbijetuar nën shtresat e baltës janë minimale. Zona të tëra janë mbuluar nga rrëshqitjet e dheut, ndërsa familje të shumta kanë mbetur pa shtëpi.
Dëshmitë nga banorët flasin për momente paniku dhe humbje të rënda. Një grua 43-vjeçare tregoi mes lotësh se po kërkon dy fëmijët e kushërirës së saj, 6 dhe 9 vjeç, si dhe partnerin e saj, të cilët dyshohet se ndodhen nën rrënoja. Sipas saj, kushërira ishte ende gjallë kur mbërritën zjarrfikësit, por ndërroi jetë më vonë në spital. Në të njëjtën zonë u gjet e pajetë edhe një tjetër familjare.
Në një tjetër rast, ekipet e shpëtimit nxorën trupin e një burri që kishte arritur të shpëtonte bashkëshorten nga banesa, por vetë nuk mundi t’i mbijetonte rrëshqitjes së dheut.
Kaos dhe përmbytje në Ubá
Situata është kritike edhe në Ubá, qytet me rreth 107 mijë banorë, ku lumi që mban të njëjtin emër doli nga shtrati, duke përmbytur qendrën dhe duke lënë pas baltë e mbeturina. Tregtarët përpiqen të shpëtojnë mallrat e dëmtuara, ndërsa shumë biznese janë shkatërruar.
“Zakonisht përmbytjet janë të kufizuara, por kësaj here uji mbuloi një pjesë të madhe të qytetit”, tha një pronar dyqani, duke e përshkruar situatën si të paprecedentë.
Meteorologët paralajmërojnë se reshjet intensive mund të vijojnë deri të premten, duke rritur rrezikun për rrëshqitje të tjera dhe përkeqësim të bilancit tragjik. Autoritetet vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit, ndërsa shpresat për gjetjen gjallë të të zhdukurve po shuhen me kalimin e orëve.









