Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, zhvilloi mbrëmjen e sotme një bisedë telefonike me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Ende nuk janë bërë publike detaje mbi përmbajtjen e komunikimit, por telefonata vjen në një moment intensiv përpjekjesh diplomatike për t’i dhënë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.
Më herët gjatë ditës, Zelensky njoftoi se kreu i delegacionit negociator ukrainas, Rustem Umerov, do të zhvillojë nesër një takim me përfaqësues të palës amerikane. Sipas deklaratave zyrtare, në fokus të diskutimeve do të jenë tre çështje kyçe për Ukrainën, pa u bërë të ditura specifika të mëtejshme.
Mediat ndërkombëtare raportojnë se këto kontakte paraprake synojnë përgatitjen e një takimi trepalësh me pjesëmarrjen edhe të zyrtarëve rusë, i cili pritet të mbahet në fillim të muajit mars.
Telefonata Trump–Zelensky shihet si pjesë e përpjekjeve të reja diplomatike për të shtyrë përpara një proces negociator, në një kohë kur situata në terren mbetet e tensionuar.









