Shembjet e rrugëve – Rama krahason Shqipërinë me Portugalinë – ironizon opozitën: “Pse nuk e denoncuan në SPAK?”

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me problematikat e shfaqura në disa akse rrugore në vend, pas reshjeve të dendura dhe fenomeneve të erozionit që kanë shkaktuar dëmtime në infrastrukturë.

Përmes një postimi në rrjetin social “X”, Rama solli si shembull rastin e Portugalisë, duke publikuar pamje të dëmtimeve të rrugëve në këtë vend si pasojë e të njëjtave kushte atmosferike. Në reagimin e tij, kreu i qeverisë ironizoi qëndrimin e opozitës shqiptare, e cila ka akuzuar qeverinë për korrupsion lidhur me investimet në infrastrukturë.

“Si ka mundësi që opozita nuk e ka denoncuar në SPAK këtë vepër korrupsioni?”, shkruan Rama me tone ironike, duke nënkuptuar se dëmtimet e infrastrukturës si pasojë e kushteve natyrore nuk përbëjnë domosdoshmërisht prova për abuzim.

Ai ironizoi gjithashtu debatet në studiot televizive, duke iu referuar analistëve dhe ekspertëve që kanë komentuar situatën. Në postimin e tij, Rama përdor gjuhë sarkastike për të kritikuar atë që e cilëson si “teatër mediatik” dhe akuza të pabazuara ndaj qeverisë.

Reagimi i kryeministrit vjen në një moment kur debati për cilësinë e punimeve publike dhe përgjegjësitë institucionale është intensifikuar, pas problematikave të raportuara në disa segmente rrugore në vend.