“Skifterët” e motorëve bien në rrjetë në Tiranë – 3 të arrestuar; mes tyre 14-vjeçari i dyshuar për 150 vjedhje

Policia e Tiranës ka goditur një grup të dyshuar për vjedhje motomjetesh në kryeqytet, duke çuar në pranga dy të rritur dhe një të mitur, në kuadër të operacionit të koduar “Popular”.

Shërbimet e Komisariatit Nr. 4 arrestuan shtetasit A. D., 48 vjeç dhe A. H., 41 vjeç, ndërsa u ndalua edhe një 14-vjeçar, i cili dyshohet se ka qenë autor i një numri të madh vjedhjesh. Sipas hetimeve, më 21 janar, dy të rriturit dyshohet se e kanë shtyrë të miturin të vidhte një motomjet në rrugën “Kongresi i Manastirit”, i cili më pas u përvetësua nga 41-vjeçari.

Të dhënat hetimore janë tronditëse: i mituri dyshohet të ketë kryer rreth 150 vjedhje gjatë dy viteve të fundit, ndërsa vetëm gjatë shkurtit 2026 lidhet me të paktën 4 raste të tjera në Tiranë.

Gjatë kontrollit në një garazh në pronësi të njërit prej të arrestuarve, policia sekuestroi dy motomjete dhe pjesë të tjera, që dyshohet se janë produkte vjedhjeje.

Autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur raste të tjera të mundshme, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.