Presidenti i Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, njoftoi se priten bisedime të tjera me Iran gjatë mbrëmjes së sotme, ndërsa shprehu pakënaqësi për ecurinë e negociatave.
“Nuk jam i kënaqur me faktin që ata nuk janë të gatshëm të na japin atë që duhet të kemi. Nuk jam i entuziazmuar për këtë. Do të shohim çfarë do të ndodhë. Do të flasim më vonë. Do të kemi disa bisedime shtesë sot”, deklaroi Trump para gazetarëve, përpara nisjes drejt Teksasit.
Komentet vijnë një ditë pas përfundimit të raundit të tretë të negociatave indirekte mes delegacioneve amerikane dhe iraniane në Gjenevë. Trump theksoi se Irani “nuk po negocion me mirëbesim” dhe ritheksoi qëndrimin e tij se Teherani nuk mund të zotërojë armë bërthamore.
I pyetur për mundësinë e përdorimit të forcës ushtarake, ai u përgjigj se “askush nuk e di” nëse një veprim i tillë do të sillte ndryshim regjimi, duke shtuar se do të preferonte një zgjidhje pa ndërhyrje ushtarake, por nuk e përjashtoi këtë opsion.
Ndërkohë, Departamenti Amerikan i Shtetit autorizoi largimin e personelit jo-emergjent dhe familjarëve të tyre nga Izraeli për shkak të rreziqeve të sigurisë, ndërsa SHBA-ja ka forcuar praninë ushtarake në rajon javët e fundit.
Nga ana tjetër, Teherani ka paralajmëruar se do t’i përgjigjet çdo sulmi dhe ka kërkuar që çdo kufizim i programit bërthamor të shoqërohet me heqje sanksionesh.









