Bill Gates ka thyer heshtjen pas publikimit të dokumenteve të reja që lidhen me Jeffrey Epstein, duke pranuar hapur se ka gabuar që ka pasur kontakte me financierin e diskredituar. “U tregova budalla,” u shpreh miliarderi amerikan, duke theksuar pendesën për lidhjet e së kaluarës.
Reagimi vjen pas zbulimit të një emaili të vitit 2013, i përfshirë në dosjet e reja, i cili ishte formuluar sikur t’i drejtohej Gates me përshëndetjen “I dashur Bill”. Sipas vetë Gates, mesazhi nuk i ishte dërguar kurrë atij, por ishte shkruar nga Epstein për veten e tij.
Në përmbajtje, Epstein pretendonte se Gates kishte injoruar miqësinë e tyre dhe përmendte një sëmundje seksualisht të transmetueshme, duke sugjeruar madje se i ishte kërkuar të siguronte antibiotikë për t’iu dhënë fshehurazi ish-bashkëshortes së Gates, Melinda French Gates.
Në një intervistë të dhënë në Australi, themeluesi i Microsoft theksoi se kontaktet e tij me Epstein kanë qenë të kufizuara. “Me sa duket ai i shkroi një email vetes. Nuk u dërgua kurrë dhe nuk e di çfarë po mendonte. Jam një nga shumë njerëz që pendohen që e kanë njohur,” deklaroi ai.
Gates mohoi kategorikisht çdo lidhje tjetër, duke shtuar se nuk ka vizituar kurrë ishullin privat të Epstein dhe nuk ka qenë i përfshirë në sjellje të paligjshme. “Sa më shumë fakte dalin, aq më e qartë bëhet se ai kontakt ishte gabim, por nuk kishte lidhje me këtë lloj veprimtarie,” theksoi ai.
Çështja Epstein vazhdon të nxjerrë në dritë emra të njohur dhe të trazojë opinionin publik, ndërsa figura të fuqishme përpiqen të distancohen nga çdo lidhje me të.









