REAGIM/ “Irena me 5 mbiemra, shoqe shpirti me Lindën” – Berisha pas ritualit “detyrim paraqitje në SPAK, sulmon edhe KLGJ dhe ngre akuza të rënda

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, shpërtheu me akuza të forta ndaj Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe gjyqtares së posaçme Irena Gjoka, menjëherë pas paraqitjes së tij në SPAK në kuadër të masës “detyrim paraqitjeje”.

Berisha reagoi ashpër ndaj vendimit të KLGJ për të mos nisur procedurat e verifikimit për papajtueshmërinë e mandatit të gjyqtares Gjoka, duke i përmendur me emra anëtarët që votuan kundër.

Sipas tij, anëtarët e KLGJ që morën këtë vendim janë “më keq se vetë Irena Gjoka” dhe i cilësoi si “turpi i zyrtarit” dhe “skllevër të regjimit”.

Akuza për lidhje politike dhe dosje kriminale

Berisha shkoi edhe më tej, duke pretenduar se gjyqtarja Gjoka ka lidhje të afërta me familjen e kryeministrit.

“Irena me 5 mbiemra është shoqe shpirti me Lindën e Surrelit”, u shpreh ai.

Ai shtoi se Gjoka, sipas tij, ka qenë këshilltare e Ergys Agasit dhe është parë duke hyrë e dalë në zyrën e këtij të fundit, të cilën Berisha e quajti “zyrë mafioze”, duke iu referuar pamjeve që ai pretendon se ndodhen në dosje hetimore.

Pretendime për atë që pa brenda SPAK

Në deklaratën e tij, Berisha pretendoi gjithashtu se brenda ambienteve të SPAK ka parë persona me rekorde kriminale së bashku me zyrtarë të drejtësisë.

Ai përmendi me emra disa persona, duke thënë se ndodheshin në zyrë dhe po diskutonin çështje ligjore, ndërsa për një tjetër ish-zyrtar tha se “po numëronte para”.

Këto deklarata përbëjnë akuza të drejtpërdrejta, të cilat nuk janë konfirmuar nga institucionet përkatëse.